Me rastin e mbylljes së përkohshme të ndërtesës së kinemasë për shkak të renovimit që do t’i bëhet, Kurti ktheu në kujtesë se Kinemaja Lumbardhi në vitin 2002 u bë shtëpia e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”. Ai shtoi se ky institucion është monument i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kulturore e do të vazhdojë edhe në dekadat e ardhshme.

“Rrugëtimi i Kinemasë Lumbardhi, nga themelimi e deri më sot, përfshin ngjarje dhe përjetime të rëndësishme: Nga një simbol i reformës shoqërore dhe kulturore në mesin e viteve ’50, në vendtakimin dhe shënjuesin e kujtesës kolektive; deri te triumfi i aktivizmit qytetar dhe i vlerave kulturore e shoqërore, kur u shpall aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore dhe ruajti karakterin publik e kulturor”, tha kryeministri.

Duke e ndërlidhur me emrin e lumit i cili kalon nëpër qytetin e Prizrenit, Kurti tha se kinemaja Lumbardhi e dokumentojnë jetën e qytetit, pra rrjedhën e ujit që i jep jetë qytetit dhe ngjarjet kulturore, të cilat tash e 73 vite e kanë gjallëruar qytetin,  e së bashku me to edhe me festivalet si Zambaku i Prizrenit dhe DokuFest, të cilat mbledhin miliona shikues që janë inspiruar në këto ambiente.

“Mes për mes qytetit të Prizrenit rrjedhë një lum i bukur, i cili bënë zë sikur një shirit filmik gjatë projeksionit në një kinema të vjetër. Kjo ndërlidhje zanore me këtë lum mund të jetë njëra prej arsyeve nga e ka huazuar kinemaja Lumbardhi emrin e tij”, tha ai.