Edhe këtë vit banorët e Komunës së Malishevës po ballafaqohen me pickimin e rriqrave. Sipas të dhënave  komunale, banorët e fshati Drenoc dhe  Carrallukë, janë ata të cilët kanë kërkuar më së shumti ndihmë mjekësore nga pickimi i rriqrave.

Artan Paçarizi, zyrtar për informim në Komunën e Malishevës, i tha Radio Kosovës se komuna ka ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e etheve hemorragjike që vjen nga pickimi i rriqrave. Sipas tij, rriqrat prej kohësh janë një shqetësim serioz i banorëve të kësaj komune dhe se për këtë duhet edhe përkrahje nga niveli qendror.

“Duke u bazuar në të dhënat e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Shpëtim Robaj” në Malishevë deri me 31 maj, janë regjistruar 352  raste të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga pickimi i rriqrave në Komunën e Malishevës. Situatat me rriqrat është një situatë që kërkon angazhim  dhe duhet të menaxhohet edhe nga institucionet qendrore dhe jo vetëm nga ato komunale. Sepse kemi të bëjmë me një virus, sëmundje që është përgjegjësi direkt e institucioneve qendrore”, tha Paçarizi.

Ndërsa nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike  Era Pireva, zëdhënëse e IKPSH-së, tha për Radio Kosovën se janë raportuar raste të pickimit nga rriqrat nga komuna të ndryshme, por që fatmirësisht nuk ka raste të infektimit me ethe hemorragjike Krime Kongo.

“Aktualisht, jemi në sezonin ku janë të shpeshta rastet e pickimit nga rriqrat. Kryesisht komunat endemike janë Malisheva, Rahoveci, Klina, Suhareka por pa përjashtuar edhe komuna të tjera që ka pasur raste të pickimit nga rriqrat por që fatmirësisht deri me tani nuk është shënuar asnjë rast me ethet hemorragjike Krime Kongo”, tha Pireva.

IKSHPK po ashtu rekomandon qytetarët të mos qëndrojnë gjatë në livadhe dhe vende me shkurre. Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende, IKSHP-ja rekomandon të visheni me rroba të gjata. E në rast të pickimit nga rriqrat, atëherë duhet të kërkohet ndihma mjekësore në qendrën më të afërt.