Sot ka dështuar për herë të 25-të përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, në emisionin “Info Plus” të RTK-së, deklaroi se nuk bëhet fjalë për 25 dështime të njëpasnjëshme, pasi janë ndjekur dy procedura të ndryshme: “Procedura e parë ka qenë me votim të hapur, e cila ka dështuar 8 herë, ndërsa tani jemi në fazën e përpjekjes për të krijuar komisionin, në mënyrë që të vazhdojmë me procedurën e mbyllur”, tha ajo.
“Pra, 17 herë Kuvendi ka dështuar ta krijojë komisionin për të votuar kryetaren e Kuvendit. Qëllimi është të konstituohet Kuvendi dhe të zgjidhet kryetari”, theksoi deputetja e Vetëvendosjes.
Ajo, po ashtu, tregoi se opozita rreth 17 herë e ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovë sepse nuk “do të marrë pjesë në votim, e Kushtetuta e obligon secilin deputet që të marrë pjesë në votim”.
“Ata e bojkotojnë votimin dhe nuk propozojnë kandidat në komision që të ecin procedurat tutje. Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese thekson se deputetët mund të votojnë me votim të hapur apo të fshehtë, pra janë dy mënyra që lejohen përmes Kushtetutës”, tha Pacolli dhe shtoi se “opozita ka për qëllim ta bllokojë Kuvendin, prandaj nuk propozon as emra në komision. Është e 17 herë që shkelin me të dy këmbët Kushtetutën, me arsyetimin e tyre se propozimi ynë është antikushtetues”.
Ndër të tjera, ajo tha se presin që Gjykata Kushtetuese sa më shpejt t’i trajtojë dy vendimet të cilat janë dërguar në gjykatë. “Duhet ta kryejë detyrën e saj së më shpejt të jetë e mundur dhe presioni të mos bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje, sepse ne nuk jemi ata që bllokojmë”, tha Pacolli.
Ndërkaq, e pyetur nëse kompania “Noa Energy Trade” duhet hetuar për çështje që lidhen me energjinë elektrike, Pacolli u shpreh: “Unë nuk jam marrë me këtë kompani, nuk i di specifikat dhe mënyrën se si operon, por mund të them se sot kemi shumë zhurmë nga figura të ndryshme, disa mediatike e disa politike, të cilat bërtasin nëpër studio kinse për mafian energjetike, këtë apo atë, vetëm për të kamufluar atë që realisht po ndodh”.
“Shumica që bërtasin janë në shërbim të kompanive të mëdha, nuk flasin për qytetarin e Kosovës”, shtoi Fitore Pacolli.