Punëtorët e ndërmarrjes “Pastrimi” kanë hyrë në ditën e trembëdhjetë të grevës para Komunës së Prishtinës, duke këmbëngulur në realizimin e kërkesave të tyre. Në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal të Prishtinës ka dështuar propozimi i LDK-së që të ndaheshin 300 mijë euro për subvencionim të pagave të punonjësve të Ndërmarrjes “Pastrimi”.

Sami Sopi nga sindikata e punëtorëve tha për Radio Kosovën se as shuma e propozuar nuk i plotëson kërkesat e punëtorëve, teksa theksoi se do të vazhdojnë grevën.

“Çdo ndihmë që vjen nga Kuvendi Komunal për punëtorët është e mirëseardhur. Por edhe ajo që e kanë propozuar nga partia në pushtet, nuk i përmbush kërkesat tona që është e barabartë me zero. Do të vazhdojmë grevën deri në plotësimin e kushteve tona. Ne nuk iu kemi kërkuar as subvencionim, ne kemi kërkuar borxhin për të cilin kemi kryer shërbim për pesë muaj. Nëse do t’i plotësonin këto kushte, ne do të kishim vazhduar me punën, me terrenin dhe do të ishin siguruar pagat për punëtorët”, tha Sopi.

Ndërkohë, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Donat Lushaku, tha për Radio Kosovën se ekzekutivi i Komunës ka pasur bisedime të vazhdueshme me grevistët dhe se kanë qenë afër një marrëveshjeje. Por, ai tha se propozimi nuk kaloi përmes Kuvendit Komunal, pasi nuk u përkrah nga partitë opozitare. Megjithatë, Lushaku bëri të ditur se propozimi për subvencionim do të bëhet përsëri.

“Gjithsesi, kjo pikë do të tentohet që të kalohet në mbledhjet e radhës, sepse është obligim ndaj punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje, që ky subvencionim të kalojë, të ndahen mjetet dhe të shohim mundësinë edhe për pika të tjera, në mënyrë që të lëvizim nga ky ngërç që është krijuar. Është kërkesë e grevistëve që të ketë më shumë subvencionim, por duhet të shohim edhe mundësitë e tjera të Komunës në këtë aspekt, që të plotësojmë kërkesën e tyre në maksimumin e mundshëm”, tha Lushaku.

Zëdhënësi Lushaku bëri të ditur se aktualisht kryeqyteti është duke u mirëmbajtur nga operatorët privatë, të angazhuar nga ana e Komunës. Ai tha se janë të interesuar që përveç operatorëve privatë, pjesa tjetër e punës të vazhdohet edhe nga ndërmarrja publike lokale e pastrimit.

Ndërkohë, punëtorët e kompanisë “Pastrimi” po vazhdojnë të kërkojnë realizimin e pagesës së borxhit prej 2.7 milionë euro, që sipas tyre Komuna i detyrohet ndërmarrjes.