Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në Gjakovë kanë marrë pjesë sot në një aksion humanitar për dhurimin e gjakut, i cili u organizua në ambientet e Drejtorisë Rajonale të Policisë në këtë qytet.

 

Nisma u zhvillua me moton “Një pikë gjaku e dhuruar nga ju, për dikë do të thotë jetë”, dhe synon të kontribuojë në furnizimin e nevojshëm të bankave të gjakut për rastet që kërkojnë ndërhyrje mjekësore, trajtime të sëmundjeve të rënda apo viktima aksidentesh.

Policia e Kosovës tha se pjesëmarrja në këtë aksion është shprehje e përgjegjësisë ndaj komunitetit dhe e vlerave profesionale që udhëheqin institucionin. Përmes një komunikate, u theksua se Policia mbetet e përkushtuar në shërbim ndaj qytetarëve, edhe përtej detyrave zyrtare.