Një delegacion ndërkombëtar prej 25 anëtarësh, pjesë e Punëtorisë për Bashkëpunim Jug-Jug dhe Trepalësh për Avancimin e Parandalimit të Korrupsionit (SSTC), realizoi një vizitë zyrtare në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) të Republikës së Kosovës.
APK njofton se gjatë vizitës, delegacioni u njoh me nismat kyçe që Kosova ka ndërmarrë për forcimin e integritetit institucional dhe parandalimin e korrupsionit.
Në njoftim thuhet se drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, ka prezantuar mandatin dhe funksionet kryesore të agjencisë, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes qytetare në luftën kundër korrupsionit përmes platformës “Corruption-Free Portal”.
“Platforma jonë inovative fuqizon qytetarët që të jenë pjesë aktive e ruajtjes së integritetit publik, duke u mundësuar të raportojnë korrupsionin në mënyrë të sigurt dhe transparente,” u shpreh Buleshkaj, duke falënderuar njëkohësisht partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Republikën e Koresë së Jugut, për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e kësaj platforme.
Prezantimi teknik i funksionaliteteve të platformës u bë nga Besnik Dragusha, udhëheqës i Divizionit për E-Shërbime dhe Sisteme në APK, i cili shpjegoi mënyrën e raportimit të rasteve të korrupsionit si dhe deklarimin e pasurisë nga zyrtarët publikë, përmes një procesi të digjitalizuar, të qasshëm dhe të mbrojtur.
Delegacioni përfshinte përfaqësues nga vendet e Azisë si Koreja e Jugut, Mongolia dhe Uzbekistani, si dhe nga Ballkani Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Sipas APK-së kjo vizitë konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit të përvojave në luftën kundër korrupsionit, duke rritur ndërveprimin dhe harmonizimin e standardeve në nivel rajonal dhe global.