Zyra e Kryeministrit njofton se gjatë qëndrimit në qytetin e Gjilanit, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, vizituan punishten e projektit të rrugës “Hamdi Kurteshi”.
Kurti u njoftua nga kryetari Hyseni për rëndësinë e kësaj rruge, e cila është ndër më të ngarkuarat, për detajet e projektit dhe për punimet që po zhvillohen dhe që janë pranë përfundimit.
Vlera e projektit të zgjerimit të rrugës “Hamdi Kurteshi” është 2.4 milionë euro. Sipas kryetarit Alban Hyseni, nëse punimet vazhdojnë me këtë ritëm, ato pritet të finalizohen gjatë muajve të verës.