Vetëvendosje ka përshëndetur dhe mbështetur aksionin e gjerë të realizuar nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria, në koordinim me Europol-in, për arrestimin e një rrjeti të trafikimit të drogës.
Në një reagim zyrtar, në Facebook, Lëvizja ka inkurajuar të gjithë qytetarët, përfshirë anëtarët e saj, që të denoncojnë çdo aktivitet të dyshuar kriminal pranë organeve të rendit, duke theksuar përkushtimin e saj të vazhdueshëm në këtë drejtim.
“Ne inkurajojmë secilin anëtar, por edhe qytetarët e vendit që të sinjalizojnë çfarëdo fenomeni të tillë në Policinë e vendit. Si Lëvizje, jo rrallë herë kemi bërë denoncime përmes anëtarëve e aktivistëve tanë, dhe kjo praktikë do të vazhdojë,” thuhet në reagim.
Ndërkohë, Vetëvendosje ka reaguar edhe lidhur me raportimet mediatike se një nga personat e arrestuar mund të jetë i afërt me këtë subjekt politik. Megjithëse nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar nga organet e drejtësisë që konfirmon identitetin e të arrestuarve, Lëvizja ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm për verifikim të brendshëm.
“Pas këtij informacioni, kemi verifikuar emrin për të parë nëse i njëjti figuron në databazën tonë. Në përputhje me Statutin dhe rregullat e brendshme, Komisioni disiplinor ka marrë vendim për largimin e përkohshëm të personit me emrin e njëjtë, deri në sqarimin dhe verifikimin e plotë nëse bëhet fjalë për të njëjtin individ.”
Në përfundim, Lëvizja Vetëvendosje rikonfirmon qëndrimin e saj për një luftë të pakompromis kundër çdo veprimtarie ilegale që cënon rendin publik, sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve.