Sot shënohen 29 vite nga hapja e Zyrës së parë të Shërbimit Informativ të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, më 5 qershor 1996 – një moment me rëndësi historike për marrëdhëniet SHBA-Kosovë.
Kjo zyrë, që nisi veprimtarinë në një periudhë të vështirë për vendin, përbënte një nga format më të hershme të përfshirjes diplomatike amerikane në Kosovë. Më pas, nga viti 1999 deri më 2008, Zyra e SHBA-së në Prishtinëshërbeu si misioni kryesor diplomatik i Amerikës në vend, duke luajtur një rol kyç në mbështetjen e institucioneve dhe zhvillimit demokratik të Kosovës.
Ambasada Amerikane në Prishtinë përkujtoi këtë përvjetor përmes një njoftimi simbolik, duke ftuar qytetarët që të ndajnë kujtimet e tyre:
“A e mbani mend këtë ditë apo ishit të pranishëm në ceremoni? Ndani historinë tuaj me ne!”, thuhet në përkujtimin e ambasadës së SHBA-së.
Për shumë qytetarë, hapja e zyrës amerikane në vitin 1996 përfaqësonte shpresën për liri dhe partneritet ndërkombëtar, që më vonë kulmoi me pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 dhe vendosjen e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
Ky përvjetor shënon jo vetëm një datë historike, por edhe forcimin e miqësisë së qëndrueshme midis popullit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.