Aktgjykimi dënues është shpallur pak kohë pasi Vllajiq është deklaruar fajtor në seancën e shqyrtimit fillestar që është mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ai do të qëndrojë në paraburgim derisa të bëhet i plotëfuqishëm aktgjykimi.

Agjenti i BIA-s pranon fajësinë për spiunazh

Aleksandar Vlajiq e ka pranuar fajësinë për veprën penale “spiunazh” dhe “armëmbajtje pa leje”. Në seancë është thënë se Vlajiq, agjent i BIA-s serbe, ka lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Speciale.

Vlajiq ishte arrestuar në qershorin e 2024-s, me dyshimin se kishte mbledhur dhe dërguar informacione te Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë.

Prokurori special Bekim Kodaliu dhe avokati i të pandehurit, Lubomir Pantoviq, kanë theksuar se marrëveshja për pranimin e fajësisë i plotëson të gjitha kushtet ligjore, se i pandehuri e ka pranuar fajin me vullnet të lirë dhe pa presion dhe i kërkuan gjykatës ta miratojë marrëveshjen.

Gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ngadhnjim Arrni, e ka miratuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë si të ligjshme.

Prokuroria ka propozuar që për veprën penale të spiunazhit, Vllajiq të dënohet me burgim efektiv nga 4 vjet e 6 muaj deri në 5 vjet, duke përfshirë edhe kohën e kaluar në paraburgim. Ndërsa për veprën e armëmbajtjes pa leje, është propozuar dënim me 6 muaj burg, me mundësi zëvendësimi me gjobë në shumë prej një mijë euro.

Avokati i të pandehurit, Lubomir Pantoviq, kërkoi dënim me katër vjet e gjashtë muaj burg meqë sië ka theksuar ai ka rrethana të shumta lehtësuese, fakti që nuk është gjykuar më parë.

“Në emër të mbrojtjes, i propozoj gjykatës që për këtë vepër penale, të pandehurit t’i shqiptohet dënimi prej 4 vjetësh e 6 muaj burg, ashtu siç është paraparë me marrëveshjen për pranimin e fajësisë”, ka deklaruar Pantoviq. Vlajiq e ka përkrahur fjalën e mbrojtësit të tij.

Sipas aktakuzës së ngritur më 22 maj 2025 nga Prokuroria Speciale, Vllajiq ka vepruar si bashkëpunëtor i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), duke mbledhur informacione që rrezikonin rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.