Sipas Dhomës, qëndrimi i BE-së konfirmon se ky proces është i mbushur me të meta dhe shkelje të rënda, sidomos në raport me legjislacionin e BE-së, rregullat e Komunitetit të Energjisë, si dhe parimet e konkurrencës së lirë dhe ndihmës shtetërore.

Në veçanti, DhTIK thekson se marrëveshja mes KEK-ut dhe KESCO-s bie ndesh me këto parime dhe është në kundërshtim me kornizat ligjore evropiane. Qeveria e Kosovës, sipas Dhomës, nuk ka treguar vullnet për të adresuar këtë situatë, ndërsa Bashkimi Evropian ka ofruar gatishmëri për të mbështetur procesin me 28.2 milionë euro.

“Procesi aktual i liberalizimit nuk ka qenë transparent dhe është përcjellë me një mori shkeljesh,” thuhet në reagimin e Dhomës, e cila njofton gjithashtu se ka paditur Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Sipas DhTIK-së, bizneset janë duke u dëmtuar drejtpërdrejt nga ky proces, duke u rrezikuar qëndrueshmëria ekonomike dhe vendet e punës në sektorë të ndryshëm.

Në fund, Dhoma i bën thirrje qeverisë së Kosovës që të reflektojë urgjentisht dhe të marrë hapa konkretë për rregullimin e situatës dhe sigurimin e një procesi të drejtë, konkurrues dhe në përputhje me standardet evropiane.