Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, me të cilët ka zhvilluar një diskutim rreth situatës aktuale politike në vend, me theks të veçantë në bllokadën institucionale që tashmë ka hyrë në ditën e 116-të.
Sipas Krasniqit, kjo situatë është pasojë e “paaftësisë dhe mungesës së vullnetit të koalicionit fitues të zgjedhjeve për të mundësuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës”.
Krasniqi theksoi se PDK-ja ka shprehur dhe rithekson shqetësimin e thellë për këtë gjendje, e cila, sipas tij, “po cenon funksionalitetin demokratik të vendit dhe po rrezikon seriozisht të ardhmen institucionale dhe ekonomike të Kosovës”.
Ai tha se PDK ka vepruar me përgjegjësi duke ofruar një zgjidhje konkrete për dalje nga kriza – përmes propozimit për ndërrimin e kandidates aktuale, si një mundësi reale për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re brenda afateve kushtetuese.
“Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për kryeneqësi politike. Ka nevojë për stabilitet, jo për kriza. Dhe mbi të gjitha, ka nevojë për lidership që di të zgjedhë rrugën e shtetit, para interesave të ngushta partiake,” u shpreh Krasniqi.