Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbëreshë Kryeziu-Hyseni tha se i kanë vendosur reciprocitet Lidhjes demokratike të Kosovës dhe për ta nuk do të jetë i pranueshëm asnjë emër i propozuar nga për nënkryetar të Kuvendit, ndërkaq tha se nga PDK-ja të pranueshëm do të jenë veç dy emra, Sala Jashari e Nait Hasani.
“Është qëndrim i joni që nuk do të votojmë asnjë emër tjetër nga radhët e PDK-së, përpos Nait Hasanit e Sala Jasharit, ndërkohë që edhe ne i kemi vendosur reciprocitet LDK-së, nuk do ta votojmë e pranojmë asnjë propozim nga ana e tyre. Pra, nëse po duam të hyjmë në këtë ciklin e dëshirave dhe ta shndërrojmë Kuvendin në vend dëshirash e jo vend numrash siç do të duhej të ishte, atëherë le të vendosim këso lloj kriteresh. Meqë ata po kanë preferenca kë ta zgjedhim ne dhe ta propozojmë ne për kryetar të Kuvendit, edhe ne po i themi preferencat tona”, tha deputetja e LVV-së para gazetarëve.
Sipas saj qëllimi i opozitës është bllokada. Ajo tha se nuk po dështon votimi për Albulena Haxhiun, por për komisionin për votim të fshehtë, e këtu tha ajo duhet të bëhet dallimi.
“Po e shohim edhe njëherë tjetër që qëllimi i partive opozitare nuk është zgjidhja, por vazhdimi i bllokadës që e kanë krijuar qysh nga fillimi. Kemi parë që vazhdueshëm ka deklarata të ndryshme. Dëgjuam sot deklarata të tilla që ne në asnjë mënyrë nuk e votojmë asnjë kandidat të LVV-së që do të thotë se është absurde që nuk e dinë çka po duan, përpos që ta vazhdojnë bllokadën e mundësisht një koalicion me ata që janë mësuar të qeverisin në të kaluarën”, tha Kryeziu-Hyseni.