Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, tash e pesë vjet po përballen me procesin gjyqësor në Hagë. Rasti i madh i Speciales pritet të përfundojë kur edhe mbrojtja të përmbyllë çështjen e saj.

Në përbërje të trupit gjykues janë edhe ish-gjyqtarë të misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë.

“Misioni i EULEX-it në Kosovë nuk ka ndarë të dhëna për ish-pjesëtarët e tij, të cilët aktualisht janë të përfshirë në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku po gjykohen ish-krerët e UÇK-së. Sipas tyre, kjo ndalesë buron nga rregullorja për mbrojtjen e të dhënave personale.”

Ndërkohë, nga Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar për RTK-në se të gjithë gjyqtarët janë përzgjedhur dhe emëruar posaçërisht në përputhje me mandatin e kësaj gjykate. Disa prej tyre mund të kenë qenë të angazhuar më parë në misionin e EULEX-it në Kosovë. Sipas tyre, kandidatët janë vlerësuar nga një panel përzgjedhës i pavarur, në të cilin bëjnë pjesë dy gjyqtarë ndërkombëtarë me përvojë të thellë në të drejtën penale ndërkombëtare. Procesi i përzgjedhjes ka pasur për qëllim përzgjedhjen e gjyqtarëve me integritet dhe profesionalizëm të lartë, të cilët përmbushin standardet ligjore të parashikuara.

Këta gjyqtarë më parë kanë ushtruar të njëjtin mandat në Kosovë, duke u marrë me gjykimin e krimeve të luftës për rreth tetë vjet. Megjithatë, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ngre dyshime në lidhje me integritetin e tyre profesional, bazuar në rezultatet e sjella gjatë mandatit në EULEX.

“EULEX-i na kujtohet më shumë për skandalet sesa për rezultatet. Ata vazhdimisht arsyetoheshin se nuk mund ta përfundonin mandatin për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga dëshmitarët apo mungesës së sigurisë. Sot, kur të njëjtit gjyqtarë apo prokurorë të EULEX-it përzgjidhen për të vepruar në Dhomat e Specializuara, për ne kjo është e pakuptimtë dhe në një mënyrë, cenim i integritetit të këtij mekanizmi”, tha Miftaraj.

Ai theksoi se gjykimi aktual duhet të zhvillohet me një qasje profesionale dhe të paanshme nga trupi gjykues.

“Gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it që për shtatë apo tetë vite kanë dështuar në Kosovë, vështirë se mund të kenë profesionalizmin dhe integritetin e nevojshëm për ta kryer këtë proces në mënyrë të drejtë, të pavarur dhe të paanshme. Dyshoj se do të jenë në gjendje të veprojnë pa paragjykime në rastin e personave që janë subjekt i aktakuzës”, shtoi Miftaraj.

Gjykimi në Hagë, deri më tani, është përcjellë me kritika të shumta nga njohës të drejtësisë dhe organizata vendore, për shkak të qasjes që gjykata ka pasur ndaj të akuzuarve dhe procesit në përgjithësi.