Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mirëpriti sot ish-presidentin e Republikës së Kroacisë, Stjepan Mesiq. Në këtë takim u diskutua për zhvillimet aktuale, me theks të veçantë mbi bashkëpunimin në rritje ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.
Përmes një njoftimi nga Kryeministria bëhet e ditur se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e çmuar të presidentit Mesiq, i cili jo vetëm gjatë fundviteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90 doli publikisht në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve të Kosovës, por edhe më vonë, nga pozita e Presidentit të Kroacisë, ai dha mbështetje të palëkundur për përpjekjen tonë për liri dhe pavarësi.
“Në këtë takim të përzemërt, u evokuan momente të rëndësishme të dy popujve dhe u diskutua për zhvillimet aktuale, me theks të veçantë mbi bashkëpunimin në rritje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë. U theksua rëndësia e thellimit dhe zgjerimit të këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat, e posaçërisht në atë të mbrojtjes dhe sigurisë. U konstatua që gjendja në rajonin e Ballkanit është shumë më e mirë se para tri dekadave, por edhe që disa probleme janë të vjetra nga ajo kohë”, thuhet në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se për kontributin e tij në mbrojtjen dhe afirmimin e të drejtave të popullit tonë në periudha vendimtare historike, presidenti Mesiq, së fundmi, mori titullin ‘Qytetar Nderi i Gjilanit’.