Një 26-vjeçar është gjetur i vdekur në afërsi të autostradës “Arbën Xhaferi” në Kaçanik. Policia e Kosovës ka konfirmuar se vdekja nuk ka ndodhur si pasojë e aksidentit, duke e trajtuar rastin si “Hetim mbi vdekjen”.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka nisur hetimet lidhur me vdekjen e një të riu në komunën e Kaçanikut. Viktima, I.H. (26 vjeç), është gjetur pa shenja jete më 8 qershor 2025, rreth orës 13:15, në afërsi të fshatit Bob, përgjatë autostradës “Arbën Xhaferi”.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia, dyshohet se i riu kishte pësuar aksident trafiku rreth orës 05:00 të mëngjesit, por nga ekzaminimet fillestare të hetuesve të trafikut është konstatuar se vdekja nuk ka ardhur si pasojë e aksidentit.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të Trafikut të Autostradës, hetues nga Stacioni Policor në Kaçanik, si dhe më pas Hetimet Rajonale dhe Forenzika Rajonale. Rreth orës 16:45, është përfshirë edhe prokurori për krime të rënda nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, i cili ka autorizuar rastin të hetohet si: “Hetim mbi vdekjen”.
Policia njofton se për informacione të mëtejme do të informojë publikun pas përfundimit të ekzaminimeve të nevojshme nga hetuesit rajonalë.