Njohës të fushës kritikojnë Komunën se nuk ka ndarë informacione paraprakisht rreth këtyre dy kontratave. Dy operatorët privatë i kanë kushtuar buxhetit komunal 2 milionë euro.

Pasi nuk mundën të procedojnë tutje me tenderin për mbeturinat, Komuna e Prishtinës nisi procedurat e tjera negociuese për kontraktimin e operatorëve privatë.

Në kohën kur tenderi për mbeturinat ishte në OSHP, Komuna e Prishtinës në maj të këtij viti ka kontraktuar dy operatorë privatë. Të njëjtit për 6 muaj do të paguhen 2 milionë euro për menaxhimin e mbeturinave.

Komuna ka angazhuar grupin e operatorëve ekonomik “Selmans Network” për 1 milion e 200 mijë euro dhe operatorin “Niti-N” SH.P.K me vlerë 800 mijë euro.

Deri në momentin e publikimit të njoftimit për nënshkrimin e këtyre kontratave, nga Iniciativa për Progres-INPO thonë se Komuna nuk ka publikuar asnjë të dhënë në faqen e prokurimit.

Edhe auditorë të brendshëm thonë se Komuna ishte dashur të presë vendimin e OSHP-së rreth tenderit për mbeturinat para se përmes procedurës së negociuar të lidhë kontrata me operatorë privatë.

Ndërkaq, dyshime për lidhjen e këtyre dy kontratave kanë ngritur edhe nga kompania “Pastrimi”.

Megjithatë, nga Komuna e Prishtinës mohojnë dyshimet e ngritura. Dyshime janë ngritur edhe për mënyrën se si do të kontrollohet puna e këtyre dy operatorëve privatë. Të dy operatorët do të paguhen në bazë të sasisë së mbeturinave që grumbullojnë, transportojnë dhe depozitojnë.