Të martën, më 10 qershor 2025, me fillim në ora 10:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, do të mbahet promovimi i tre librave të rinj të poetit, kritikut, prozatorit dhe dramaturgut tonë të njohur Sabri Hamiti.
Në këtë ngjarje letrare do të paraqiten këta libra të botuar së fundmi:
“Prishtina mon amour” – një antologji poetike që i kushtohet Prishtinës si hapësirë identitare, kulturore dhe shpirtërore. Përmbledh poezi nga shtatë libra të mëhershëm të autorit, duke sjellë figura dhe fenomene kyçe të kryeqytetit në një rrëfim poetik liriko-metafizik.
“Maja” – dramë në tri akte e dy kohë, e shkruar më 2007 dhe botuar tani për herë të parë. Tematizon luftën për çlirimin e Kosovës përmes historisë së një artist të kthyer në luftëtar që bie dëshmor në betejën për liri.
“The Literary Canon” – përmbledhje tekstesh kritike në gjuhën angleze, frënge dhe sllovene, përzgjedhur nga botimet e tij të 25 viteve të fundit.
Për librat do të flasin Prof. dr. Muhamet Hamiti dhe Prof. dr. Nysret Krasniqi
Ngjarja organizohet në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe është e hapur për publikun, studiuesit, studentët dhe të gjithë të interesuarit për letërsinë dhe mendimin estetik.