Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka njoftuar se për shkak të punimeve është ndalur përkohësisht qarkullimi i të gjitha automjeteve në autostradën “Ibrahim Rugova” , segmenti 7, drejtimi Prishtinë-Mitrovicë.
“Ju njoftojmë se përmes një vendimi të nënshkruar nga zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, të nënshkruar sot, do të ndalohet përkohësisht qarkullimi i të gjitha automjeteve në trafikun rrugor në autostradën “Ibrahim Rugova” , në segmentin e saj R7, drejtimi Prishtinë-Mitrovicë, sipas hartës ( segmenti mbi zonën industriale të Fushë Kosovës), që nga data 09.06.2025 deri në njoftimin e radhës (120 ditë kalendarike)”, thuhet në njoftim.
Kjo ministri ka bërë të ditur se vendimi hynë në fuqi sot-ditën e nënshkrimit.
Tutje theksohet se punimet në këtë segment do të zhvillohen pas pranimit të një kërkese nga Carabinieri KFOR MSU, të cilët kanë kërkuar devijimin dhe mbylljen e këtij segmenti të kësaj autostrade me qëllim të vendosjes së barrierave akustike .
“Punimet në fjalë do të kryhen nga ana e kompanive “MAK CONTRUZIONI”srl dhe “VIA “SH.P.K. Këto kompani do të ndërmarrin të gjitha veprimet për vendosjen e sinjalizimit, të nevojshëm sipas planit të menaxhimit të trafikut për mbylljen dhe devijimin e qarkullimit rrugor duke bashkëpunuar me Departamentin për Menaxhimin e Rrugëve –MMPHI, dhe Policinë e Kosovës për të krijuar kushte të sigurta për pjesëmarrësit në trafik”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se trafiku do të zhvillohet bazuar në planin e caktuar nga KFOR-i, teksa të gjithë qytetarët janë lutur për kujdes dhe mirëkuptim.