Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka reaguar pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Fatmir Spahiu, më 7 qershor 2025 nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë.
Ai po udhëtonte me familjen nga Austria drejt Kosovës kur u ndalua dhe arrestua. Më 9 qershor, Spahiu doli para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Suboticë, ku iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Ai aktualisht ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë.
Sipas familjes dhe avokatëve të tij, akuzat ndaj Spahiu lidhen me rastin e Banjskës dhe konsiderohen të pabazuara dhe të fabrikuara. Ata theksojnë se ai ka përfunduar shërbimin në Policinë e Kosovës në vitin 2022 dhe që atëherë jeton në Gjermani me familjen.
Ambasadori i Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, bashkë me avokatin e familjes Arianit Koci, do të udhëtojnë më 11 qershor drejt Suboticës për të ndjekur nga afër rastin dhe për t’u takuar me avokatin e dytë të caktuar zyrtarisht për Spahiu. Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd ka dorëzuar kërkesë zyrtare për lejimin e një vizite të ambasadorit Jashari tek Spahiu, e cila pritet të realizohet së shpejti, pas miratimit nga autoritetet serbe.
“MPJD ka informuar për rastin të gjitha misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd dhe trupin diplomatik në Kosovë, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë me Ambasadën e Gjermanisë, për shkak të qëndrimit të rregullt të Spahiu në këtë shtet”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.