Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se bizneset nuk janë kundër tregut të lirë, por janë për një kalim vullnetar dhe jo të detyruar.

“Sot jemi mbledhur për të ngritur zërin kundër padrejtësisë që po na bëhet si biznese dhe qytetarë të vendit. Energjia është dritë dhe motor i zhvillimit ekonomik, dhe çdo ndërhyrje në çmimin e energjisë është ndërhyrje në standardin jetësor të qytetarëve të Kosovës. Ne kemi vetëm një kërkesë: të na jepet një fazë tranzicioni dhe një pako mbështetëse që do t’i ndihmonte bizneset, në mënyrë që efektet e këtij ndryshimi të mos jenë të menjëhershme,” tha ai.

Edhe përfaqësues të tjerë të odave ekonomike në vend, si dhe përfaqësues të bizneseve, theksuan se kalimi në tregun e lirë do ta rëndojë edhe më shumë gjendjen financiare të bizneseve, duke rritur ndjeshëm koston e operimit. Ata kërkuan pezullimin e këtij vendimi, duke theksuar se mbi 1300 biznese do të preken drejtpërdrejt nga zbatimi i tij.

Protesta vazhdoi edhe pranë objektit të ZRRE-së, ku u bë thirrje që të reflektohet mbi kërkesat e komunitetit të biznesit për një fazë tranzicioni në procesin e daljes në tregun e lirë të energjisë.