Zyrtarja e lartë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në emisionin “RTK Prime”, ka folur për rrugëtimin 20-vjeçar të kësaj partie, duke vënë në pah sfidat, qëndresën dhe arritjet e saj ndër vite.
“Prej 2005 deri në 2010 ka qenë periudha më sfiduese, dhe pastaj më 2010 kur VV vendosi që ta shtojë aktivitetin edhe në Kuvendin e Kosovës. Ne kemi arritur që ta marrim 13 deputetë për herë të parë”, tha Haxhiu, duke rikujtuar sfidat e hershme që përfshinin sulme e tendenca për ta shuar Lëvizjen.
Ajo foli edhe për protestat e vitit 2007, ku dy persona u vranë dhe mbi 90 të tjerë u plagosën. “Ne kundërshtonim Pakon e Ahtisarit dhe falë asaj rezistence hyri termi pavarësi, sepse ajo nuk ekzistonte fillimisht”, tha Haxhiu.
Haxhiu përmendi edhe periudhat kyçe të zhvillimit të Vetëvendosjes, nga opozita e fuqishme parlamentare në vitet 2010-2014, fitorja në Prishtinë, bashkimi i VLAN-it, deri te periudha e qeverisjes 2020-2025.
“Po të mos ishte rezistenca popullore dhe e Vetëvendosjes kundër ‘Zajednicës’, sot do t’i vuanim pasojat. Kemi bërë përpjekje maksimale që ta ndalim edhe demarkacionin me Malin e Zi. Po ashtu ka qenë sfida me amnistimin e kriminelëve serbë”, shtoi ajo.
Sipas Haxhiut, suksesi i Vetëvendosjes është rezultat i angazhimit dhe punës së pandalshme të aktivistëve ndër vite. “Falë punës së aktivistëve, Vetëvendosje ka arritur që të jetë partia më e madhe në vend”, tha ajo.