Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, ka folur pas dështimit për të 30-tën herë me radhë të seancës së Kuvendit, duke akuzuar partinë në pushtet për paaftësi dhe mungesë serioziteti në konsolidimin e institucioneve.
“Për shkak të paaftësisë së partisë së parë që nuk ka arritur të sigurojë shumicën parlamentare, vendi po përballet me një kosto tepër të lartë si për qytetarët, ashtu edhe për vetë funksionimin e demokracisë,” u shpreh Lushaku.
Ajo theksoi se kjo situatë është duke e cenuar seriozisht rendin demokratik dhe stabilitetin institucional të Kosovës, duke përmendur faktin se 17 deputetë tashmë kanë dhënë betimin, por në të njëjtën kohë mbajnë edhe pozita në ekzekutiv.
“Në vend se të punojnë për arritjen e një zgjidhjeje në Kuvend, ata po vazhdojnë të marrin vendime jo kushtetuese dhe jo ligjore në qeveri,” tha Lushaku.
LDK, sipas saj, shpreh shqetësimin e thellë për krizën politike që, sipas partisë, po reflektohet në përkeqësimin e gjendjes ekonomike, përfshirë rritjen e çmimeve dhe inflacionin, çka po e bën jetesën gjithnjë e më të vështirë për qytetarët e Kosovës.
“Gjithçka po ndodh për shkak të mungesës së emergjencës dhe vullnetit politik nga partia e parë për ta zgjidhur këtë situatë,” përfundoi Lushaku.
Lushaku tutje tha se Lidhja Demokratike e Kosovës do të prezantojë nesër një plan me 15 pika që, sipas partisë, përfaqëson një rrugëdalje konkrete nga kriza institucionale në vend.
Deputetja Jehona Lushaku po ashtu bëri të ditur se përmes këtij plani do të elaborohen idetë dhe prioritetet që LDK do të shihte si pjesë të një qeverisjeje të përkohshme.
“Ky ka qenë propozimi ynë si zgjidhje për krizën aktuale. Përndryshe, nuk po shohim ndonjë alternativë tjetër nga partitë e tjera. Nuk ka një shumicë të konsoliduar dhe po shohim një parti të parë tërësisht të dorëzuar, që nuk po arrin të sigurojë shumicën parlamentare,” deklaroi Lushaku.
LDK shtoi ajo do të paraqesë planin e saj si një përpjekje serioze për të dalë nga bllokada politike, duke e adresuar si në aspektin institucional, ashtu edhe ekonomik dhe shoqëror. Plani pritet të detajojë angazhimet e mundshme të partisë brenda një qeverie tranzitore për një periudhë të caktuar kohore.