Ministri në detyrë i Bujqësisë, i Pylltarisë dhe i Zhvillimit Rural, Faton Peci, theksoi ndikimin pozitiv që kanë pasur politikat mbështetëse të qeverisë për zhvillimin e sektorit të bujqësisë organike.

Ai shtoi se gjatë mandatit të tij si ministër bujqësia organike ka krijuar mbi 2 000 vende të reja pune, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e të ardhurave dhe mirëqenien e komuniteteve rurale.

“Gjatë këtij mandati, bujqësia organike ka krijuar mbi 2 000 vende të reja pune, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e të ardhurave dhe mirëqenien e komuniteteve rurale. Kjo, falë politikave vizionare dhe pesëfishimit të përkrahjes financiare për këtë sektor. Nga një mbështetje që dikur ishte vetëm 50 euro për hektar, sot fermerët që merren me prodhim organik përfitojnë 250 euro shtesë për hektar të sipërfaqes së certifikuar, duke shënuar një rritje të përkrahjes prej 400 për qind. Kjo rritje në përkrahjen institucionale është një shembull se si politikat mbështetëse mund të nxisin transformimin në sektor, duke çuar direkt në ngritjen e vetëdijes së konsumatorëve për përfitimet shëndetësore dhe kozmetike të produkteve organike. Këtë ndryshim pozitiv e dëshmon edhe rritja me 72 për qind e sipërfaqes së kultivuar në nën-sektorin e bimëve mjekësore dhe aromatike”, tha ai.

Peci shtoi se gjatë vitit 2024, 96.2 për qind e produkteve ishin të destinuara për tregun e jashtëm.

Sipas tij, eksporti arriti vlerën prej 17.6 milionë euro, një rritje prej 6.6 për qind, krahasuar me vitin 2023.

“Në Kosovë bujqësinë organike tashmë e kemi një sektor të orientuar edhe për eksport, me rreth 20 kompani të certifikuara lidere, ku vetëm gjatë vitit 2024, 96.2 për qind e produkteve ishin të destinuara për tregun e jashtëm. Eksporti arriti vlerën prej 17.6 milionë euro, një rritje prej 6.6 për qind, krahasuar me vitin 2023, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillim ekonomik të vendit.

Me politika të qëlluara, kushte të favorshme agro-klimatike, biodiversitet të pasur, e njohuri të trashëguara bujqësore të fermerëve tanë, po e bëjnë vendin tonë të gatshëm për të udhëhequr me shembuj në sektorin organik.

Kur flasim për kornizat programore është me rëndësi të nënvizojmë se jemi duke zbatuar me sukses Planin Kombëtar për Bujqësinë Organike 2023–2026 si dhe po hartojmë ligjin e ri për bujqësinë organike, i cili synon të krijojë baza të qëndrueshme dhe inovacion në zhvillimin tutje të këtij sektori”, tha ministri Peci.

Ndërsa, Fatmir Krasniqi, kryetar i Shoqatës “Organika”, foli për rrugëtimin e organizatës që nga themelimi e deri në rritjen në një strukturë të qëndrueshme që përfaqëson sektorin.

“Sot në 12 vitet e themelimit është rritur në një strukturë që përfaqëson mbi 40 fermerë, anëtarë, grumbullues, biznese dhe kooperativa, të gjithë të përkushtuar të një qëllimi të përbashkët: zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit, promovimi i produkteve tona në tregjet e brendshme dhe ndërkombëtare dhe garantimi i cilësisë përmes certifikimeve organike”, tha ai.