“Në përgjigje të kërkesës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta, ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në trajtimin e kësaj çështjeje, në përputhje me kushtet e përcaktuara”, tha RTKlive Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë në detyrë.

Sipas tij, përgjatë një periudhe njëvjeçare, deri në pesëdhjetë persona mund të zhvendosen përkohësisht, me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes.

“Qeveria ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet, me mundësinë për të përzgjedhur individë nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik. Më shumë informacione do të mund të japim ndërkohë”, tha ai.

Duke shtuar se Shtetet e Bashkuara mbeten një aleat i palëkundur i Republikës së Kosovës.

“Partneriteti ynë i ndërsjellë, i ndërtuar ndër dekada, mbështetet në vlera të përbashkëta dhe bashkëpunim. E vlerësojmë lart mbështetjen e tyre, sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit në institucionet euroatlantike”, tha ai.