Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, ka qenë nikoqir i takimit me Prokurorin e Shtetit dhe Koordinatorin Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, Kujtim Munishi.
“Gjatë takimit, u diskutua për sfidat aktuale, si dhe identifikimin dhe ndjekjen e veprimtarive të paligjshme që dëmtojnë sistemin tatimor dhe ekonominë e vendit. U theksua rëndësia e shkëmbimit të informatave dhe zhvillimit të kapaciteteve profesionale, si dhe nevoja për ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta në rastet ku identifikohen shkelje të rënda të ligjit”, bëhet e ditur në njoftim.
Shefi i ATK-së, thuhet të ketë shprehur gatishmërinë e institucionit që drejton për të qenë partner i besueshëm në procesin e hetimeve financiare dhe zbatimit të ligjit, duke thënë se lufta kundër krimit ekonomik është ndër prioritetet kyçe të ATK-së.
Nga ana tjetër, prokurori Munishi citohet të ketë thënë se, bashkërendimi i veprimeve mes institucioneve relevante është thelbësor për të pasur qasje efikase dhe më të strukturuar në luftimin e fenomeneve që cenojnë rendin dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
“Bashkëpunimi i ndërsjellët mes dy institucioneve garanton integritet të sistemit fiskal në Republikën e Kosovës”, thotë komunikata e ATK-së.