Në këtë dokument, që i pari i LDK-së e quajti “kontratë nderi”, si pikë e parë është renditur funksionalizimi i institucioneve kushtetuese.

“Përmbyllja e zgjedhjes së vendeve vakante në të gjitha institucionet e pavarura kushtetuese që presin votimin e Kuvendit të Kosovës. Theks i veçantë do t’i vihet zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, plotësimi i vendeve vakante,” që, sipas Abdixhikut, nëse vazhdon kriza në Kuvend, mund të rrezikojë paralizimin e saj.

Po në këtë pikë, sipas Abdixhikut, është edhe depolitizimi i institucioneve të pavarura, si dhe riformatimi i plotë i bordeve dhe i institucioneve që i raportojnë Kuvendit.

Si pikë e dytë është renditur rritja e pagave dhe zbatimi i Ligjit të Pagave.

“Rritja e pagave për mësimdhënësit, punonjësit shëndetësorë, punonjësit e sigurisë dhe administratës shtetërore, duke iu rikthyer dinjitetin institucional”, thuhet ndër të tjera aty.

Pikë e tretë është vënë miratimi i një ‘pakoje emergjente për menaxhimin e krizës energjetike’. E katërta është renditur ‘nisja e projektit kombëtar të gazifikimit të Kosovës’, ndërsa e pesta është ‘rindërtimi i partneritetit me BE-në, SHBA-në dhe rikthimi i politikës së jashtme’.

Si pikë e gjashtë në planin për ‘Qeverinë e Unitetit Kombëtar’, që e prezantoi Abdixhiku, është renditur ‘hapja e rrugës për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare’, ndërsa e shtata për ‘fillimin e procesit të vetingut’.

Si pikë e tetë në këtë dokument të LDK-së, e që sipas tyre mund të plotësohet edhe nga partitë tjera, është renditur ‘fillimi i projekteve me rëndësi të veçantë’, dhe thuhet se ‘Qeveria e unitetit do t’i heqë të gjitha pengesat burokratike për projektet madhore kombëtare’.

Pikë e nëntë është renditur ‘reforma kushtetuese në funksion të stabilitetit institucional’, ku, sipas Abdixhikut, do të përcaktoheshin qartë procedurat funksionale për konstituimin e Kuvendit, përmes të cilave do të evitoheshin bllokadat institucionale.

Vend në këtë plan 15-pikësh, duke u renditur si e dhjeta, ka zënë edhe reforma në arsim. Abdixhiku tha se do të hartohej Strategjia Kombëtare e Reformës së Thellë në Arsim, deri te mësimi tërëditor në gjithë Kosovën.

Pika e njëmbëdhjetë është për ‘përgatitjet institucionale për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”’.

Pika e dymbëdhjetë flet për ‘reformat strategjike të sigurisë dhe mbrojtjes’. E trembëdhjeta për ‘rishikimin e formulës për buxhetin e komunave’.

Ndërkohë, si pikë e katërmbëdhjetë në këtë dokument të Lidhjes Demokratike është renditur ‘përgatitja për zgjedhje brenda 10 muajsh’.

E pika e fundit, ajo e pesëmbëdhjeta, ka të bëjë me mekanizmin e transparencës, ku thuhet se ‘do të themelohet mekanizmi i posaçëm monitorues për të raportuar çdo tre muaj mbi zbatimin e agjendës qeverisëse’.