Kreu në detyrë i qeverisë, tha se presidenti historik Ibrahim Rugova ishte një kontribuues i madh për unitetin popullit e ndërkombëtarizimin e Kosovës dhe çështjes kombëtare.

Ndërkohë, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, tha se është e natyrshme që vizita e parë në këtë ditë bëhet pikërisht tek varri i ish-presidentit Rugova.

Ajo tha se, Dita e Çlirimit të Kosovës, është ajo ditë për të cilën punuan, luftuan e sakrifikuan gjenerata të tëra.

“Është  natyrshme që vizita e parë në këtë mëngjes bëhet te varri i presidentit Rugova, vizioni i të cilit, Kosova e lirë e pavarur, demokratike qëndron në themelet e shtetit të cilin vazhdimisht punojmë ta forcojmë e të ofrojmë një perspektivë sa më të mirë të gjithë qytetarëve të saj”, deklaroi ajo.

Gërvalla, shtoi se gjaku i derdhur për vendin duhet të jetë udhërrëfyes për secilin që merr përgjegjësi publike. “Ky shtet meriton të jetë edhe më i fortë edhe më i përparuar”, tha ajo.

Më pas, lule të freskëta u vendosën edhe te varri i veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

“Baca Adem, Adem Demaçi kur pati dalë nga burgu, pati thënë ‘dola nga një burg i vogël në burgun e madh’, sepse ishim në regjimin e egër të Serbisë, një regjim shovinist. Dita e çlirimit është dita e një thyerje të një burgu të  madh sepse u çlirua populli e po tërhiqeshin forcat policore e ushtarake serbe. Vumë lule të freskëta te varri i bacës Adem, si simbol i  rezistencës tonë dhe si një veprimtar i paepur që nuk u kursye asnjëherë dhe dha gjithçka”, tha Kurti.

Në këtë përvjetor çlirimi, homazhe do të ketë edhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.