Sipas Malë Gashit, ushtrues detyre i komandantit të brigadës së Zjarrfikësve në Komunën e Prishtinës, njoftimi për zjarrin është pranuar në orën 16:53.

Ai tha se zjarri kishte përfshirë pjesë të kulmit të objektit në hyrjen 3, i cili ishte i mbuluar me material pleksiglas. Siç thotë Gashi, falë reagimit të shpejtë dhe profesional të ekipeve të zjarrfikësve, zjarri u shua para se të përhapej në pjesë të tjera të qendrës tregtare dhe pa u lëndar njëri.

“Falë reagimit të shpejtë, zjarri është shuar dhe nuk është lejuar të përhapet në pjesë të tjera. Deri më tani, fatmirësisht nuk ka informacione për të lënduar”, theksoi Gashi për RTKlive.

Aktualisht, ekipet janë duke përfunduar intervenimin në vendngjarje dhe po kryhet vlerësimi i situatës për të siguruar që nuk ka rreziqe të tjera.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia. “Sot rreth orës 17:00, kemi pranuar informatën për një zjarr në një objekt në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë. Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia, të cilët janë duke u marrë me rastin. Nuk raportohet për persona të lënduar,” tha për RTKlive Zëdhënësja për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.