Në reagim LVV thekson se përmes këshilltarëve të sajë komunalë në Kuvendin e Prizrenit, ka ushtruar më herët kallëzim penal ndaj disa zyrtarëve komunalë lidhur me shkeljet ligjore të evidentuara.

“Fakti që Prokuroria Themelore në Prizren ka konfirmuar tashmë nisjen e hetimeve, është një dëshmi e qartë për seriozitetin dhe përkushtimin e Grupit tonë të Kuvendarëve në luftën kundër keqpërdorimeve dhe korrupsionit”, thuhet në reagim.

Sipas LVV-së në Prizren, të dhënat e raportuara nga mediat, dëshmojnë për një presion të vazhdueshëm ndaj zyrtarëve të urbanizmit nga ana e kryetarit të komunës, Shaqir Totaj, dhe shefit të tij të kabinetit, me qëllim për të ndikuar në marrjen e vendimeve të kundërligjshme që favorizojnë familjarë dhe të afërm të tyre.

“Kërkojmë nga organet e hetuesisë që të zgjerojnë hetimet përtej rastit specifik, duke përfshirë edhe veprimet e dyshuara të z. Totaj dhe z. Elshani, për të hetuar veprat penale të mundshme si ushtrim ndikimi dhe presion ndaj zyrtarëve publikë. Sipas raportimeve, ndikimi i tyre konkret është ushtruar ndaj një zyrtareje të urbanizmit në lidhje me lejen ndërtimore të objektit të përmendur”, theksohet në reagim.

LVV shpreh shqetësimin e thellë për degradimin urban që po i ndodh qytetit të Prizrenit nën qeverisjen e Shaqir Totajt, nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Premtimet e dhëna në fushatën zgjedhore janë braktisur, ndërsa është thelluar nepotizmi dhe favorizimi i një rrethi të ngushtë të lidhur me njerëz të fortë të PDK-së. Rastet e evidentuara në emisionin investigativ janë vetëm maja e ajsbergut. Kemi të bëjmë me një sistem të institucionalizuar të keqpërdorimeve, ku lejet e ndërtimit jepen në kundërshtim me ligjin, duke dëmtuar rëndë karakterin urbanistik të qytetit tonë. I bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që të ndërmarrin një hetim të gjithanshëm, të pavarur dhe profesional ndaj të gjithë personave të përfshirë, pa përjashtuar edhe z. Totaj dhe z. Elshani, për të garantuar se ligji zbatohet për të gjithë njësoj dhe se askush nuk është mbi të”, thehet në reagim.

Sipas LVV-së, vetëm përmes një transparence të plotë dhe ndëshkimit të atyre që keqpërdorin funksionin publik, mund të mbrojmë interesin publik dhe të ndalojmë shndërrimin e Prizrenit, këtij qyteti historik, turistik e kulturor, në një “xhungël urbanistike”.