Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës së Italisë, Antonio Tajani, zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar drejt Taorminës në Itali, ku sot dhe nesër, më 18 dhe 19 qershor 2025, do të marrë pjesë në Takimin Ministror të organizuar në shënim të 70-vjetorit të Konferencës historike të Messinës.
Konferenca e Messinës, e mbajtur në qershor të vitit 1955, përbën një pikë kthese në historinë evropiane. Ajo mblodhi ministrat e jashtëm të gjashtë vendeve themeluese të Komunitetit Evropian dhe vendosi themelet për një arkitekturë të re politike në Evropë, të bazuar në bashkëpunim, paqe dhe integrim.
Shtatë dekada më vonë, në një kontekst të ri gjeopolitik, ky takim mbledh ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe të vendeve kandidate dhe atyre me perspektivë anëtarësimi, për të adresuar sfidat strategjike me të cilat përballet Unioni dhe për të ripërcaktuar rolin që zgjerimi luan në forcimin e rendit evropian.
Pjesëmarrja e Ministres Gërvalla në këtë takim konfirmon rolin aktiv të Republikës së Kosovës për të kontribuar në diskutimet thelbësore për të ardhmen e kontinentit evropian, si dhe për të riafirmuar qëndrimin se besueshmëria e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor matet edhe me qëndrimin parimor të BE-së ndaj Kosovës, njofton MPJD.
Në margjinat e kësaj konference, Ministrja Gërvalla do të zhvillojë takime me homologë nga disa shtete anëtare të BE-së, me të cilët do të trajtojë zhvillimet aktuale në rajon, shtyerjen përpara të agjendës evropiane të Kosovës dhe nevojën për një qasje më të barabartë, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse të Bashkimit Evropian ndaj vendeve që e përkrahin integrimin euro-atlantik në Ballkanin Perëndimor.