Në një njoftim në rrjetet sociale bëhet e ditur se gjenerallejtënant Jashari e informoi për arritjet e FSK-së, përfshirë pjesëmarrjen në UF DE25, trajnimet me ushtrinë amerikane dhe përgatitjet për dislokimin në JRTC, duke theksuar rëndësinë e arritjes së kapaciteteve të plota operacionale. Ndërsa gjenerallejtënant McGee e përgëzoi FSK-në për progresin, falënderoi për mikpritjen gjatë UF DE25 dhe konfirmoi mbështetjen e Pentagonit për zhvillimin dhe bashkëpunimin në misione të përbashkëta paqeruajtëse.

Gjithashtu, në kuadër të kësaj vizite, gjenerallejtënant Jashari u takua edhe me shefin e Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-së, gjeneral Steven S. Nordhaus, dhe me komandantin e Gardës Kombëtare të Ajovës në JRTC, gjeneral major Steven Osborn.

“Gjatë takimeve, komandanti i FSK-së prezantoi të arriturat e fundit të forcës dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen në procesin e trajnimeve dhe përgatitjeve për misionin e dislokimit. Gjeneral Nordhaus vlerësoi lartë profesionalizmin, përkushtimin dhe gatishmërinë e pjesëtarëve të FSK-së për bashkëdislokim,” thuhet në njoftim.

Ndryshe, këto takime pasqyrojnë përparimin e qëndrueshëm të FSK-së drejt kapaciteteve të plota operacionale dhe theksojnë partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në promovimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.