Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës iu ka bërë thirrje qytetarëve që të mbrohen nga kafshimet e gjarpërinjve.
Për të qenë të sigurt gjatë ecjes në natyrë, Instituti ka rekomanduar se ku dhe kur janë aktivë gjarpërinjtë, si dhe si të veprohet për t’u mbrojtur.
IKSHPK-ja përmes një shkrimi në Facebook rekomandon qytetarët se duhet të vishen me rroba të gjata dhe me çizme kur ecin në natyrë dhe të përdorni shkop për kontrolluar shkurret apo gurët “para se të hidhni hapin”.
Instituti ka rekomanduar që të shmanget bari i lartë dhe rrugicat e papastruara, ndërsa të mbahet edhe oborri dhe ambienti përreth shtëpisë i pastër, duke i hequr gurët, grumbujt e drunjve dhe shkurret.
Sipas IKSHPK-së, shumica e gjarpërinjve në Kosovë nuk janë helmues, por kafshimi nga nepërka, i njohur si gjarpri më helmues në Evropë, mund të jetë shumë i rrezikshëm.
“Qëndroni të qetë dhe mos lëvizni shumë. Mbajeni gjymtyrën e kafshuar të palëvizshme dhe nën nivelin e zemrës. Thirrni urgjencën (194), policinë (192) ose shkoni menjëherë në qendrën më të afërt shëndetësore. Mos e prekni apo preni vendin e kafshimit. Mos e thithni apo ndrydhni helmin nga vendi i kafshimit. Mos i vendosni rrip apo çfarëdo lloj lidhëse plagës së kafshimit”, thuhet në rekomandimet e Institutit.
Po ashtu, rekomandohet që të mos ngacmohen apo mbyten gjarpërinjtë.