Në një njoftim për media nga Zyra për Informim e Kryeministrisë bëhet e ditur se kryeministri Kurti, në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës, i shprehu mirënjohjen e përhershme për kompetencën, integritetin dhe dinjitetin shembullor me të cilin, si president i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e udhëhoqi atë në dhënien e një vendimi që konfirmoi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

“Profesor Owada nuk është vetëm një mysafir i nderuar i Kosovës – ai është një mik, kontributet e të cilit janë thellësisht të ngërthyera në historinë tonë kombëtare. Lidershipi i tij në të drejtën ndërkombëtare dhe angazhimi për paqen dhe drejtësinë kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë kolektive,” tha kryeministri.

Ai shtoi se Kosova pati fatin të kishte një jurist të nivelit të tij intelektual dhe moral në krye të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në një moment kaq kritik për shtetësinë tonë. Rendi juridik ndërkombëtar dhe parimi i bashkëjetesës paqësore midis kombeve kanë përfituar shumë nga qartësia e mendimit dhe forca e bindjes së tij.

Sot, Universiteti i Prishtinës nderoi profesor Owada me titullin e lartë ‘Doctor Honoris Causa’ në një ceremoni akademike të organizuar në nder të tij.