Amir Rrahmani është shembull për t`u ndjekur nga sportistët tanë të rinj, sidomos futbollistët, ka vlerësuar kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Futbollisti i Napolit dhe i Kosovës është pritur nga Kurti të mërkurën, ku të pranishëm kanë qenë edhe ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe deputeti e trajneri, Bylbyl Sokoli
“Nga Drenica në Shqipëri te Partizani i Tiranës, prej aty në Kroaci te Spliti, Lokomotiva dhe Dinamo e Zagrebit, dhe pastaj në Itali fillimisht te Verona dhe tash te Napoli, Amir Rrahmani është një nga lojtarët më të mirë e më të suksesshëm të Kosovës dhe të kampionit të Serie A, Napoli. Ai është shembull për t’u ndjekur nga sportistët tanë të rinj, sidomos futbollistët. Bashkë me ministrin Hajrulla Çeku dhe deputetin e trajnerin e mirënjohur, Bylbyl Sokoli, me kënaqësi mirëpritëm kapitenin e Kosovës që është dy herë kampion i Italisë”, ka shkruar Kurti. “E uruam për arritjet e jashtëzakonshme në futbollin profesionist e veçanërisht në një ekip si Napoli ku sa herë fiton bëhesh i paharrueshëm dhe ikonë për tifozerinë atje, si dhe e falënderuam për përfaqësimin e denjë të Republikës sonë – e unë edhe për fanellën që ma dhuroi”.