Deputet i LVV-së, Artan Abrashi pas dështimit të seancës, ka thënë se inatet politike destruktive nga partitë politike, pa ndonjë qëllim të qartë, po e mbajnë peng tash e sa kohë Kuvendin e Kosovës.
“Me gjasë krejt kjo situatë, në pikëvështrimin opozitar po synohet që të ndërtohet si rast i pashembullt në historinë parlamentare të Kosovës, ku dëshmohet një forcë destruktive në pengim të konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Abrashi.
Tutje ai ka deklaruar se LVV, në mungesë të reflektimit të deputetëve të opozitës, është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që do ta sqarojë procedurën e votimit në Kuvendin e Kosovës.
“Ne jemi në proces të pritjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vendim i cili do ta sqarojë procedurën e votimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo çështje është iniciuar në këtë institucion dhe na mbetet neve të presim atë vendim, në mungesë të reflektimit të deputetëve të opozitës”, ka deklaruar Abrashi.