Telekomi i Kosovës njofton se Gjykata Komerciale ka urdhëruar kthimin e mbi 4.4 milionë eurove në llogaritë e kësaj shoqërie aksionare, të cilat ishin ekzekutuar nga përmbaruesi në favor të kompanisë Dardafon.net. Telekomi thekson se e ka mirëpritur këtë vendim.
Telekomi i Kosovës Sh.A. ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale – Dhoma e Shkallës së Parë, Departamenti për Çështje Ekonomike, që aprovon ankesën e ndërmarrjes lidhur me parregullsitë në procedurën përmbarimore në rastin me kompaninë Dardafon.net (Zmobile).
“Me vendimin e fundit të Gjykatës Komerciale është aprovuar ankesa e ndërmarrjes lidhur me parregullsitë gjatë procedurës përmbarimore në rastin e Dardafon.net (i njohur si Zmobile)”, thuhet në njoftimin e Telekomit, që rikujton se për këto parregullsi kishte njoftuar opinionin më 15 maj 2025.
Në njoftimin për media thuhet se sipas vendimit të gjykatës, është urdhëruar kthimi i shumës prej 4.483.945,30 eurosh, që ishte “tërhequr në mënyrë të jashtëligjshme nga llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës dhe ishte transferuar në llogarinë bankare të përmbaruesit privat Flamur Bogaj, e më pas në llogarinë e kompanisë Dardafon (Zmobile)”.
“Përmbaruesi Flamur Bogaj, përveçse e ka privuar Telekomin nga e drejta për të pasur qasje dhe për të shfrytëzuar mjetet e veta, e ka vënë ndërmarrjen përballë një rreziku real që këto mjete të mos kthehen në llogaritë e Telekomit, siç parashihet në vendimin e Gjykatës”, theksohet në komunikatë.
Në njoftim thuhet se Gjykata ka konstatuar se përllogaritja e kamatvonesave është bërë nga një subjekt i tretë, jo i autorizuar ligjërisht, i angazhuar nga vetë përmbaruesi, dhe kjo “është shpallur e pavlefshme dhe juridikisht e papranueshme, duke zbuluar shkelje të rënda procedurale në procesin përmbarimor”.
Telekomi thekson se gjatë gjithë fazës së përmbarimit, përmbaruesi është informuar për shkeljet dhe është paralajmëruar të mos veprojë përtej kompetencave ligjore, por “përmbaruesi Flamur Bogaj nuk i ka marrë parasysh këto kërkesa dhe njoftime dhe as nuk është përgjigjur ndaj tyre”.
Siç thotë “Telekomi”, Gjykata ka vendosur që çështja të kthehet në fazën fillestare parapërmbarimore, duke theksuar se “asnjë veprim përmbarimor i bazuar në shkelje ligjore nuk mund të tolerohet”.
“Ky vendim nxjerr në pah dhe legjitimon shqetësimet e Telekomit të Kosovës rreth objektivitetit të disa vendimeve gjyqësore të mëhershme, të cilat kanë lejuar ekzekutimin e urdhrave përmbarimore në rrethana që kanë favorizuar njëanshëm interesat e operatorit Dardafon.net”, thuhet më tej në njoftim.
Telekomi ka paralajmëruar se “do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe institucionale për të garantuar zbatimin e tij dhe rikthimin e mjeteve të ekzekutuara në mënyrë të parregullt”, si dhe “do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore ndaj përmbaruesit, që ai të përgjigjet para ligjit për shkeljet e bëra”.