Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vizitoi termocentralet e KEK-ut dhe njoftoi se njësitë A3 dhe B1 janë në operim, ndërsa punimet për rikthimin e plotë të prodhimit vazhdojnë.
Pasi vizitoi termocentralet e KEK-ut për të parë nga afër situatën dhe punimet që po bëhen për rikthimin e prodhimit ministrja në detyrë e ekonomisë njoftoi se njësia A3 “është rikthyer në operim mbrëmë pas mesnate dhe do të vazhdojë prodhimin,” ndërsa për njësinë B1 tha se “aktualisht është në operim, por janë të domosdoshme ndërhyrjet përgjatë fundjavës dhe synimi është të kthehet në operim të hënën.”
Rizvanolli gjithashtu theksoi se në njësinë A5 “do të fillojnë sanimet e rrjedhjeve dhe pritet të fillojë operimi brenda ditëve,” ndërsa punimet për modernizim në njësinë B2 “janë duke shkuar sipas planifikimit.”
Ajo kërkoi nga menaxhmenti i KEK-ut që “të shqyrtojnë me kujdes rrethanat që kanë çuar në ndaljen e paplanifikuar të bllokut A4 dhe të ndërmerren masat që ky problem të evitohet në të ardhmen.”
“Ftoj operatorët që të kryejnë obligimet e veta dhe të mos përhapin panik të panevojshëm tek qytetarët”, përfundoi ajo.