Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Vushtrrisë në zgjedhjet lokale është Xhafer Tahiri.
“Pas një reflektimi të gjatë, pas shumë bisedash me ju, me familjen time, me bashkëpunëtorë e me njerëz që Vushtrrinë e duan sinqerisht – në këtë Premte të bardhë, kam marrë një vendim të rëndësishëm dhe të ndjerë: po, po i rikthehem garës për kryetar të komunës sonë”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, ajo që e ka shtyrë drejt kandidaturës qëndron te fakti se “ende ka shumë punë për të përfunduar, shumë projekte për t’u realizuar dhe shumë shpresë për t’u kthyer në realitet”.
“Vushtrria nuk ka nevojë për spektakël, ka nevojë për punë. Ka nevojë për dikë që e njeh çdo rrugicë, çdo lagje, çdo problem – dhe që nuk ka frikë të përballet me të. Unë jam gati. E ndjej se më shumë se kurrë, jam gati të vazhdoj atë që nisëm së bashku”, vazhdon postimi i tij.
Xhafer Tahiri ishte kryetar komune për katër vjet në këtë qytet.