Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorinë kanë vazhduar veprimet hetimore, duke përfshirë intervistimin e personave të përfshirë dhe të dyshuarve. “Do të ndërmarrim edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast,” thuhet në njoftim.

Incidenti fillestar ka ndodhur më 28 maj në rrugën “Shpëtim Bojku” në Pejë, ku gjatë një aksidenti trafiku u shoqërua në stacion një person që nuk ishte i përfshirë në aksident, por që kishte penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës së tyre.

“Nënkoloneli dhe kapiteni policor dyshohet se kanë ndërhyrë në këtë rast duke mos përcjellë rastin për hetim dhe nuk kanë njoftuar Prokurorinë, duke i shqiptuar të dyshuarit një tiketë për kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike,” thuhet në komunikatë.

IPK kishte rekomanduar suspendimin e tyre derisa hetimet janë duke vazhduar në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë.