“Nuk mund të pranojmë abuzimin që po e bën VV-ja në vazhdimësi, që për 35 herë me radhë të mos konstituohet Kuvendi. Po e shohim se qëllimshëm janë duke e bërë”, ka deklaruar Kadrijaj.

Sipas saj, konstituimi i Kuvendit do të mundësonte funksionalizimin e komisioneve parlamentare dhe mbikëqyrje më efektive të punës së qeverisë, veçanërisht në çështje jetike për vendin si kriza e energjisë dhe ajo ekonomike.

“Nëse konstituohet Kuvendi, vazhdojmë me komisione parlamentare dhe do të kishim pasur një mbikëqyrje më të mirë të qeverisjes, dhe të mos kemi abuzime të tilla, siç është duke ndodhur me këtë krizën e energjisë, krizën ekonomike sepse do të kishim zhvilluar debate të qarta për krejt këto se çka po ndodhin”, ka deklaruar ajo.

Kadrijaj ka theksuar se për shkak të qasjes së qeverisë së Albin Kurtit Kosova nuk po përfiton as nga Plani i Rritjes.

“Bota nuk sillet rreth Albin  Kurtit, po shihni situata gjeopolitike dhe nuk po shohim as interesim të ambasadorëve për të ardhur t’i përcjellin këto seanca. Ky stagnim, mospërfitimi nga fondet e BE-së e ka emrin Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë ajo.