Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se armët dhe municioni i rëndë i sekuestruar në bastisjen në fshatin Vallaq të Zveçanit, u gjetën në pronë të politikanit serb Aleksandar Arsenijevic.
Në një operacion të përbashkët mes Policisë së Kosovës, Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Prokurorisë, me mbikëqyrje nga KFOR dhe EULEX, është kryer një bastisje në fshatin Vallaq të Zveçanit, ku janë gjetur një arsenal armësh të rënda, përfshirë raketahedhës dore (zolla), granata dore, tronblona, armë dhe municion i llojeve të ndryshme.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se armët janë sekuestruar në një objekt që i përket politikanit serb Aleksandar Arsenijevic, duke e cilësuar këtë arsenal si mjaftueshëm për veprime terroriste.
“Sot, njësitet relevante të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me AKI dhe prokurorinë, me monitorim nga KFOR dhe EULEX, kanë realizuar një bastisje ku është gjetur një arsenal i tërë, i mjaftueshëm për një njësit terrorist,” tha Sveçla.
Ai theksoi se krimi nuk mund të fshihet pavarësisht përpjekjeve për ta mbuluar dhe se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë punën pa ndërprerje për të siguruar rendin dhe ligjin në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
“Nuk do të ndalemi derisa të çrrënjosim plotësisht mbetjet kriminale dhe terroriste të Serbisë nga vendi ynë,” shtoi Xhelal Sveçla.