Sveçla tha se nga informatat që ka një ditë më parë janë bastisur prona të tij dhe familjes së politikanit serb ku tregoi se çka është gjetur aty.

“Ai nuk ndodhet në Kosovë, organet e ndjekjes janë në kërkim. Në  momentin që vije në territorin e Kosovës do të ndalet, pastaj është çështje e policisë e prokurorisë. Sipas informatave që më janë dhënë, tri prona të tij dhe familjes së tij bastisur dje, ndër të tjera janë gjetur pajisje edhe për kriptovaluta që është shkelje doganore, një jelek antiplumb dhe disa gjëra të tjera minore,por gjë që tregon se ai ka qenë i kyçur në krim qe një kohë të gjatë”, deklaroi ministri në detyrë Sveçla.

I pyetur nëse Arsenijeviq mund të jetë i përfshirë edhe në sulmin e Banjskës, Sveçla tha se ato janë çështje për hetim.

Një ditë më parë në një operacion të përbashkët mes Policisë së Kosovës, Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Prokurorisë, me mbikëqyrje nga KFOR dhe EULEX, është kryer një bastisje në fshatin Vallaq të Zveçanit, ku janë gjetur një arsenal armësh të rënda, përfshirë raketahedhës dore (zolla), granata dore, tronblona, armë dhe municion i llojeve të ndryshme.

Ndryshe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se armët janë sekuestruar në një objekt që i përket politikanit serb, Aleksandar Arsenijevic, duke e cilësuar këtë arsenal si mjaftueshëm për veprime terroriste.