Në kuadër të marrëveshjes për transferimin e të burgosurve danezë në Burgun e Gjilanit, pesëmbëdhjetë zyrtarë korrektues të kësaj qendre ndodhen aktualisht në Kopenhagë, ku kanë filluar trajnimin e tyre profesional.
Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, trajnimi, i cili do të zgjasë gjashtë muaj, organizohet nga autoritetet daneze dhe ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të stafit korrektues për menaxhimin dhe trajtimin e të burgosurve në përputhje me standardet më të avancuara evropiane.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës vlerëson këtë angazhim si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit dhe përmirësimit të praktikave profesionale në burgun e Gjilanit. Përvoja që zyrtarët do të fitojnë në këtë trajnim pritet të kontribuojë ndjeshëm në përgatitjen e Burgut të Gjilanit për pritjen dhe trajtimin efikas të të burgosurve nga Danimarka”, thuhet në njoftim.