Krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur më 25 qershor në Hagë për të riafirmuar përkushtimin e tyre ndaj Aleancës dhe sigurisë euroatlantike.
Në deklaratën përfundimtare të këtij samiti, të publikuar nga NATO, theksohet angazhimi i palëkundur për mbrojtje kolektive, si dhe për rritje të konsiderueshme të investimeve në mbrojtje.
“Ne, krerët e shteteve dhe qeverive të Aleancës së Atlantikut të Veriut, jemi mbledhur në Hagë për të ripohuar përkushtimin tonë ndaj NATO-s – aleancës më të fuqishme në histori – dhe ndaj lidhjes transatlantike. Ne ritheksojmë përkushtimin tonë të palëkundur ndaj mbrojtjes kolektive, siç është parashikuar në Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit – që një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve”, thuhet në deklaratë.
Duke u përballur me kërcënime të mëdha sigurie, veçanërisht nga Rusia dhe nga kërcënimi i vazhdueshëm i terrorizmit, aleatët janë zotuar që deri më 2035 të investojnë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) çdo vit në nevoja thelbësore të mbrojtjes dhe sigurisë.
Sipas deklaratës “aleatët do të ndajnë të paktën 3.5% të PBB-së çdo vit bazuar në përkufizimin e rënë dakord të shpenzimeve të mbrojtjes së NATO-s deri në vitin 2035 për të siguruar burime për kërkesat kryesore të mbrojtjes dhe për të përmbushur Objektivat e Aftësive të NATO-s”. Ndërsa deri në 1.5% të PBB-së në vit do të mund të llogaritet për sigurinë e infrastrukturës kritike, mbrojtjen kibernetike, gatishmërinë civile, inovacionin dhe industrinë e mbrojtjes.
Plani i shpenzimeve do të rishikohet në vitin 2029 në përputhje me zhvillimet strategjike dhe objektivat e përditësuara të kapaciteteve.
Në këtë deklaratë, NATO rithekson edhe “përkushtimin sovran për të mbështetur Ukrainën, siguria e së cilës kontribuon në sigurinë tonë të përbashkët”. Kjo mbështetje do të përfshihet gjithashtu në llogaritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga shtetet aleate.
Pjesë tjetër e rëndësishme e kësaj deklarate është përkushtimi për “të zgjeruar me shpejtësi bashkëpunimin transatlantik në industrinë e mbrojtjes dhe për të shfrytëzuar teknologjitë në zhvillim dhe frymën e inovacionit në funksion të sigurisë sonë kolektive”.
Në fund të deklaratës, NATO shpreh mirënjohje për mikpritjen nga Mbretëria e Holandës dhe njoftoi se samiti i ardhshëm do të mbahet në Turqi më 2026, i pasuar nga një tjetër samit në Shqipëri.