Në letrën e nënshkruar nga kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, thuhet se një vendim i tillë, i zbatuar pa përgatitje të mjaftueshme dhe pa mekanizma mbrojtës, do të sjellë pasoja të rënda për ekonominë e vendit, veçanërisht në sektorët e prodhimit dhe transportit.

“Një rritje e tillë e çmimeve, e kombinuar me kalimin në tregun e lirë pa përgatitje të duhur dhe pa mekanizma mbrojtës, do të ishte një goditje e rëndë për ekonominë e Kosovës. Bizneset, veçanërisht ato në sektorët e prodhimit dhe transportit, do të përballen me kosto shtesë të papërballueshme, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e tyre dhe duke shkaktuar humbje të vendeve të punës. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në shkëputjen e zinxhirët furnizues dhe në ngritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, duke dëmtuar ndjeshëm fuqinë blerëse të qytetarëve”, thuhet në letrën e OEK-ut.

Tutje OEK kërkon nga Qeveria që me urgjencë të shqyrtojë shtyrjen e këtij vendimi, duke e konsideruar si të domosdoshme një qasje më graduale dhe të koordinuar me sektorin privat.

“Ne, përfaqësuesit e bizneseve në Republikën e Kosovës, besojmë fuqishëm se do të ishte shumë e dobishme që Qeveria e Kosovës të merr si model strategjinë e re industriale të Mbretërisë së Bashkuar si një pikë kthese, duke ia dhënë përparësi uljes së kostove të energjisë elektrike për bizneset, veçanërisht në sektorët kryesorë si prodhimi. Si rezultat i problemeve ekonomike globale, një fokus i kësaj strategjie është pikërisht sigurimi i një furnizimi të qëndrueshëm dhe me kosto efektive të energjisë, sepse një qasje e tillë është thelbësor për të nxitur investimet, për të krijuar vende pune dhe për të rritur kapacitetet konkurruese të ekonomisë sonë”, thuhet tutje në letër.

Sipas OEK-ut, kjo qasje afatgjatë dhe e koordinuar me sektorin privat do t’i japë bizneseve sigurinë e nevojshme për t’u zhvilluar në mënyrë të sigurt nga njëra anë dhe nga ana tjetër, duke mbrojtur njëkohësisht qytetarët nga rritja e çmimeve.