Sipas tij, aktgjykimi është edhe më i rëndë për ZRRE-në se aktvendimi i parë në kuptimin juridik, sepse, thotë se i anulon ZRRE-së komplet njoftimin, dhe njëherësh e urdhëron Rregullatorin që të sjellë vendim administrativ me arsyetim pse po e nxjerrë biznesin konkret në tregun e lirë.

“Ne nuk kemi pasur mundësi ligjore si Odë Ekonomike ta bëjmë në emër të bizneseve padi, por mundësia e vetme ligjore ka qenë të bashkëpunojmë me juristët e Odës, e me juristët e kompanive dhe me zyrat e avokatëve, që çdo biznes në mënyrë individuale të bëjë padi dhe këtë po e bëjmë edhe sot. Çdo biznesi po ia përgatisim padinë me të dhënat e biznesit, në konsultim me biznesin që të atakojë aktin e njoftimit”, tha Rafuna në RTK.

Sipas kreut të Odës Ekonomike, ZRRE-ja është dashur qysh dje ta pezullojë për të gjitha kompanitë njoftimin për daljen në tregun e lirë. “Sepse nuk ka arsye logjike e juridike që një kompani që ka një aktvendim me mbetet me çmimin e rregulluar, ndërsa kompania tjetër që është në pritje të aktvendimit nga Gjykata Komerciale të mbetet në tregun e lirë dhe të dëmtohet, kur dy kompanitë e prodhojnë të njëjtin produkt. Këtu e prishë konkurrencën, e çrregullon komplet biznesin dhe e dëmton ekonominë e vendit dhe qytetarët”, vijoi tutje Rafuna.

Ai i ka bërë thirrje ZRRE-së që ta pezullojë vendimin deri kur të dakordohen për momentumin që të dilet në tregun e lirë energjetik.

“Sot iu kemi drejtuar edhe kryeministrit që për shkak të rrethanave globale është një arsye më e fortë e shtesë që të pezullohet dalja e bizneseve në tregun e lirë, për shkak të luftës Iran-Izrael. Është ngritur çmimi i naftës, ani pse dje kishte një stabilizim për shkak të një armëpushimi, mirëpo shumica e odave evropiane na kanë njoftuar që shumë qeveri evropiane kanë filluar të përgatitin paketa ndihmëse pikërisht te energjia elektrike t’u ndihmojnë bizneseve dhe qytetarëve ,sepse pritet një rritje e re, një inflacion i ri si rezultat i luftës Iran Izrael. Kërkesa është që të pezullohet sepse nuk është momentumi i duhur”, tha ai.

Rafuna ka treguar se  thuajse shumica e anëtarëve të Odës Ekonomike kanë dorëzuar në padi gjykatë, mirëpo edhe ata që nuk janë anëtarë të Odës iu kanë ndihmuar që t’i ushtrojnë paditë qysh në fillim të javës së ardhshme.

“Gjykata brenda 10 ditësh e ka për obligim që të sjellë masën e jashtëzakonshme, sepse qëllimi është që të gjitha bizneset të trajtohen njëjtë e jo disa të trajtohen në mënyrë të unifikuar dhe të mos ketë dallime, disa të mbesin me çmim të rregulluar disa të mbesin në tregun e lirë, siç po vepron tash Zyra e Rregullatorit”, deklaroi ndër të tjera ai.