Gjykata Komerciale e Kosovës ka aprovuar pjesërisht ankesën e Telekomit të Kosovës në lidhje me parregullsitë gjatë përmbarimit në çështjen përmbarimore P.nr. 415/2024, i njohur si rasti i Dardafon.net duke vendosur që përmbaruesi privat duhet t’i kthejë Telekomit shumën prej 4.4 milionë euro.

Zyrtarët e Telekomit të Kosovës deklaruan se është inkasuar një shumë më e madhe, sesa ajo e përcaktuar në vendimin gjyqësor. Ata presin që përmbaruesi privat të kthejë këtë shumë.

“Është inkasuar një shumë prej 4.4 milionë euro më shumë sesa ishte specifikuar në vendimin gjyqësor. Kjo shumë lidhet me llogaritjen e kamatave, pasi në vendimin gjyqësor nuk ishte përcaktuar shuma e tyre. Përmbaruesi privat gjatë procesit ka hasur në kundërshtime nga Telekomi, por i ka injoruar vërejtjet tona”, tha Feim Kelmendi, drejtor i Financave në Telekomin e Kosovës.

Kundër këtij vendimi ka reaguar Oda e Përmbaruesve Privat të Kosovës, e cila e ka cilësuar aktvendimin e Gjykatës Komerciale si një “anomali juridike” që, sipas tyre, rrezikon sigurinë juridike në vend. Oda pretendon se vendimi është i kundërligjshëm, pasi urdhëron kthimin e 4.4 milionë eurove dhe krijon një precedent të rrezikshëm për sistemin e drejtësisë. Sipas tyre, gjykata ka shkelur ligjin dhe të drejtat kushtetuese.

RTK ka kërkuar një përgjigje nga Gjykata Komerciale lidhur me këtë çështje, por deri më tani nuk ka marrë asnjë reagim.