Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në prag të vazhdimit të seancës konstituive ka folur për dy të gjetura kryesore, sipas tij, të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Ai tha se praktika e mëhershme e votimit dhe çështja e bashkëpunimit janë dy theksimet kryesore, por sipas tij rëndësi ka edhe përcaktimi i afatit të konstituimit.
‘‘Vlerësojmë se dy të gjeturat kryesore janë praktika e mëhershme e votimit, ajo është e paraparë, dhe po ashtu, e gjetur e rëndësishme e që theksohet, është domosdoshmëria e bashkëpunimit në këtë rast, pra në rast të mungesës së shumicës. Këto janë të gjetura, ndërsa në vendim është edhe kohëzgjatja e që janë 30 ditë. Po ashtu që është tepër e rëndësishme si e re që ka ndodh, është edhe insistimi i marrjes së votës pa marrëveshje pa kompromis. Ajo që vlerësojmë tani është që janë pjek kushtet të i kthehemi praktikës së votimit të hapur. Njëkohësisht janë krijuar kushte edhe për konsulta për dakordim për kandidatin’’, ka thënë ai.