Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pas takimit të liderëve me Kurtin ka thënë se një tryezë e partive politike shqiptare është e domosdoshme për të gjetur zgjidhje, e cila do të ofronte konstituimin e institucioneve të Kosovës.
“Pas 3 muajsh erdhëm deri te një takim i tillë dhe sot ky takim më tepër ka shkuar rreth qasjeve dhe këndvështrimeve të secilit se si e shohin aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e më pak është folur për atë që besoj unë është tema kryesore. Krizat politike sikur këto zgjidhen me marrëveshje politike. Edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka dhënë këtë udhëzim dhe ata që kanë pritur se aktgjykimi i Kushtetueses do të zgjidhë krizën politike nuk e njohin mirë funksionimit e Gjykatës Kushtetuese dhe vetë sistemit kushtetues”, ka deklaruar Limaj pas takimit.
Ai ka thënë se është gjë e mirë që ka ndodhur takimi dhe se pret që të ndodhin edhe takime tjera.
“Natyrisht takimi i parë gjithmonë është më i vështirë derisa të njihen pozicionet e forcave politike. Unë u mundova që të jap kontributin tim për t’u kthyer në esencën që na e jep zgjidhjen dhe në atë që presin qytetarët e Kosovës. I ftova gjithë liderët që të fokusohemi në marrëveshje politike, e cila menjëherë e zgjidh krizën”, tha Limaj.
Ai ka porositur Vetëvendosjen si partia më e madhe që të sigurojë shumicën dhe sipas tij të bëhen kompromise dhe të gjendet rruga për shumicën parlamentare.